Vetëvendosje: Urojmë shërim të shpejtë për Mustafën dhe deputetët e LDK-së të prekur me Covid-19


Nënkryetarja e Kuvendit, njëherit zyrtarja e lartë e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Arbërie Nagavci ka uruar shërim të shpejtë për deputetët e LDK-së dhe kryetarit të saj, Isa Mustafa, pasi të njëjtit u infektuan me Covid-19.

“Ndonëse politika ka ndikim në jetën e secilit, ne duhet të ruajmë njerëzoren tek vetvetja dhe të sigurohemi që të jemi të kujdesshëm e vëmendshëm në secilin vendim tonin, përfshi dhe të drejtën e zgjedhjes e atë të të mbajturit përgjegjës të të zgjedhurve tanë. Është fakt se në kohën e Qeverisë Kurti, me Ministër tē shëndetësisë Arben Vitia menagjimi i pandemisë ka qenë pakrahasimisht më i mirë.

Fatkeqësisht gjithnjë ka të tillë që interesin personal e partiak e kanë mbi atë qytetarë e të përgjithshëm, andaj dhe e rrëzuan Qeverinë Kurti në kohë pandemie. I pamundësuan qytetarëve tē Kosovës që të kenë një ministër kompetent e njerëzor siç ishte Arben Vitia, ministri më i mirë që kemi pasur ndonjëherë, e kjo vetëm për shkak të egove personale e ambicieve partiake”, ka shkruar ajo në Facebook.