Thaçi përfundon intervistimin katërditor në Hagë: Nëse Gjykata do të vlerësojë drejt, do të vijë në përfundim se nuk kam bërë krime lufte


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar intervistimin në Gjykatën Speciale në Hagë, ai u intervistua për katër ditë radhazi.Presidenti Thaçi, pas përfundimit të intervistimit ka thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës, transmeton Telegrafi.

“Sapo përfundova dëshmin time para prokurorit të dhomave të specializuara. Më vjen shumë mirë që për katër ditë kisha mundësinë të jap dëshmitë për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës, dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres.

Gjatë këtyre katër ditëve, jam mundur të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga avokati, përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, kemi pasur seanca produktive, tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dëshmitë e mija. Në rast se ata e bëjnë këtë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë krim lufte”, tha Thaçi para mediave