Tërmet politik në LDK: Isa Mustafa shkarkon Vjosa Osmanin


Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, ka votuar sot për të shkarkuar Vjosa Osmanin nga posti i nënkryetares së partisë, dhe në vend të saj postin e nënkryetarit e ka marrë Avdullah Hoti.Reporteri.net gjatë ditës ka siguruar një dokument ekskluziv me të cilin kryetari i partisë, Isa Mustafa, ka hedhur në votim shkarkimin e Vjosa Osmanit dhe zëvendësimit të saj me Avdullah Hotin që tani është kryeministër.Sipas dokumentit, votimi është mbyllur në orën 19:00.

“Situata me COVID 19 nuk lejon akoma të mblidhemi në një takim të Këshillit të Përgjithshëm, prandaj kërkoj të vendosim në mënyrë elektronike”, thuhet në letrën e Isa Mustafës, ku tregon edhe opsionet që janë zgjedhja e Avdullah Hotit si nënkryetar dhe shkarkimi i Vjosa Osmanit.Si një prej arsyetimeve për shkarkim të Osmanit, në këtë letër përmendet fakti se ajo kundërshtoi krijimin e Qeverisë nga LDK e, sipas tyre, edhe pas krijimit ajo u shpreh publikisht se “kjo nuk është Qeveri e LDK-së”.

Dokumenti thotë se votimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit u bazua në nenin 24, pika 24.1, lidhur me nenin 14, pika 14.2 dhe nenin 39 të Statutit të LDK-së.Sidoqoftë, Musatafa e kishte paralajmëruar një hap të tillë në disa paraqitje publike, ku thuhej se Vjosa Osmani do të përballet me shkeljen e statutit dhe ndaj saj do të merren masa.Ndryshe, Vjosa Osmani kishte kundërshtuar partinë e saj edhe para disa vitesh, por nuk ishte marrë asnjë vendim nga organet e partisë.