Shqiptaro amerikani zbuloi biseda të kaluara me Albin Kurtin, i vjen një mesazh i ‘çuditshëm’ nga ish-themeluesi i VV-së


Publicisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, dje ka bërë publike një shkëmbim e-maile, që kishte pasur para 16 vjetësh me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.Në këto emaile Kurti i kishte kritikuar shefat e disa mediave për hapësirën ndaj tyre.Mirëpo, publikimi i këtyre emailieve ka nxitur reagime të shumta.

Ai sot përveç ka dhënë edhe disa sqarime tjera, njëashtu ka publikuar edhe një mesazh që i ka ardhur nga ish-themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Gashi, dhe njëherit ish-këshilltari politik i ish-kryeministrit, Albin Kurti.Gashi në mesazhin e tij elektronik dërguar publicistit, shkurtimisht i ka shkruar; “SHIK, SHIK, SHIK”.Lushi, Gashin e quan provokator, dhe thotë se mesazhi i këtij të fundit shpërfaq mendësinë e cila duhet të zhduket nga mendjet e shëndosha.

“Dhe krejt në fund, kësaj, po deshët, kronologjie të çiltërt apo, po deshët, mea culpa, më duhet t’ ja bashkangjis një e-mail nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kurtit, njëri nga themeluesit e VV-së dhe një provokator në tesha intelektuali apo një intelektual në tesha provokatori, si të doni, që ma dërgoi dje. E-mail shpërfaq mendësinë e cila duhet të zhduket nga mendjet e shëndosha. Unë mund t’i përgjigjesha Shkëlzen Gashit me UDB, UDB, UDB, por nuk mund ta bëj këtë. Shikojeni dhe gjykojeni e-mailin e tij vetë. Le të jetë një shembull si nuk duhet të gabojë me diskualifikime të pabaza një intelektual, një ish-aktivist dhe një shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.Ja shkrimi i tij:E vërteta për një postim dje

Opinioni dhe diskursi publik shqiptar, kudo në botë, sot, në vitin 2020, janë më të polarizuara se kurrë më parë prej rënies së monizmit në vendet tona. Mendësia e shumë shqiptarëve është ende e mbyllur, partizane dhe akoma nuk ka përvojë me lirinë dhe interesin publik. Gjithçka që nuk kalon nëpër thjerrëzen e interesit të liderit, klanit, partisë apo nëngrupit shihet si komplot dhe sulmohet. E vërteta pranohet për të përgjithshmen dhe dobishmen vetëm nëse mund të instrumentalizohet për partikularen dhe profitin e saj. Porse intelektualët dhe patriotët nuk duhet të pranojnë dhe duhet ta luftojnë këtë mendësi, pavarësisht rrezikut të përbalten, mësyhen dhe linçohen publikisht apo edhe fizikisht.

I interesuar për dhe shqetësuar me zhvillimet rreth shtetit të Kosovës ndër shumë përpjekje angazhuese për të ndihmuar Kosovën, më 9 korrik 2020, i bëra një telefonatë njërit ndër njerëzit kryesorë të VV-së, Liburn Aliu. Deputetit Aliu i kërkova që VV të bënte gjithçka që këto ditë të gjithë të unifikohemi sa më shumë, e veçmas në skenën politike, për të përballuar ciklonin me Gjykatën Speciale dhe dialogun Kosovë-Serbi. Aliu më pyeti cili ishte sugjerimi im. Propozova, që, nëse Presidentit Thaçi i ngritet aktakuzë në Hagë, Albin Kurti, në marrëveshje me partitë shqiptare, të zgjidhej President shteti dhe VV e PDK të bëheshin pjesë e qeverisë me Avdullah Hotin e LDK-së Kryeministër. Kjo qeveri unike kalimtare do të duhej të largohej nga pushteti me zgjedhje të reja para 31 dhjetorit 2021. Liburn Aliu u zotua që do të ndante idenë me Kurtin dhe njerëzit vendimmarrës të VV-së dhe do të qëndronim në kontakt.