Rreth 70 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushim


Rreth 69.5 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushim, kurse mbi 53 për qind e tyre shpenzimet për strehim dhe banim i paraqesin si barrë të rëndë.Kështu thuhet në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, 22.1 për qind e familjeve janë deklaruar se kanë probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa si dhe korniza të dritareve dhe dysheme të kalbura.

“53.4 për qind e ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare, për 36.5 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e lehtë financiare përderisa për 10.1 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim nuk paraqesin barrë financiare. Kurse 30.5 për qind e ekonomive familjare në Kosovë janë deklaruar se mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi, larg shtëpisë, duke përfshirë qëndrimin në një shtëpi tjetër (shtëpi vikendi), apartament ose tek miqtë ose të afërmit, përderisa për 69.5 për qind të ekonomive familjare është i papërballueshëm një shpenzim i tillë”, thuhet në raportin e ASK-së.