Presidenti i zgjedhur direkt me votë nga populli, më legjitim dhe më shumë kompetenca


Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit zgjedhet në Kuvendin e Kosovës me votat e deputetëve dhe propozohet nga ata, shkruan gazeta konkrete.Por, kohëve të fundit shumë shpesh është diskutuar mundësia e ndryshimit dhe amandamentimit të Kushtetutës që zgjedhja e presidentit t’i kalojë popullit me votë direkte.Por si dhe sa është e mundur kjo?Eksperti i Kushtetutës, Riza Smaka për lajmi.net është shprehur se Kosova është vend i vogël dhe së këndejmi, nuk do të kushtonte as kohë e as financiarisht që presidenti të zgjidhej nga populli, dhe ai këtë e sheh si mënyrën më të mirë.

“Kosova është vend i vogël, nuk është procedurë e ndërlikuar, nuk kushton shumë, zhvillohet një fushatë simpatike dhe ai ose ajo që do të zgjedhej do të ishte edhe superior edhe jashtë influencave politike që tani e diktojnë presidentin sepse e zgjedhin.”, tha Smaka.Më tutje, lidhur me procedurat ligjore për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, Smaka shprehet se do të merrte 1 javë kohë që të rregullohej ligji për ta bërë këtë.

“Sa i përket rregullimit të Kushtetueses, do të duhej të bëhej me një amendament i cili merr më së shumti 1 javë me komoditet dhe pa kurrëfarë problemi do të kalonte kah qeveria, Kuvendi dhe Kuvendi do të duhej ta miratonte, sepse tash për tash presidenti zgjedhet në mënyrë antikushtetutare, sepse në rundin e tretë kërkohet shumica e kualifikuar. Pastaj është sentenca që iu kërkohet deputetëve se nëse nuk votohet presidenti do të shpërbëhet”, tha Smaka për lajmi.net.E sa i përket legjitimitetit të presidentit i cili do të zgjidhej nga populli, Smaka thotë se kjo do të ishte evidente. Ai thotë se presidenti i zgjedhur nga populli do të kthehej me fytyrë kah populli dhe jo partitë politike.

“Përderisa do të ishte i pavarur nga partitë politike, ai do të kthehej me fytyrë kah votuesit e tij dhe kah qytetarët dhe jo kah partitë politike që e kanë zgjedhur dhe nuk do të kishte kanosje të formës ‘ne të kemi zgjedhur dhe ne të shkarkojmë’, tha Smaka.E lidhur me legjitimitetin e presidentit të zgjedhur nga populli edhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija thotë se do të ishte më i madh.Alija më tutje thotë se sistemi aktual qeverisës i Kosovës do të ndryshonte, për arsye se Kosova do të bëhej shtet presidencial ose gjysmë-presidencial.

“Pa dyshim që do të prodhonte më shumë legjitimitet dhe një pjesë e Kushtetutës së Kosovës do të amandamentohej për arsye se sistemi qeverisës i Kosovës me zgjedhjen e presidentit direkt do të ndryshonte sepse ne do të kishim një shtet presidencial ose më e lehta një sistem gjysmë-presidencial.”, tha Alija.Alija shton më tutje se kjo ka të bëjë me vullnetin e partive politike të cilat përveç Vetëvendosjes të gjitha janë pro idesë së zgjedhjes së presidentit direkt nga populli.

“Ka të bëjë me vullnetin e partive politike, që nga forumi i liderëve që është marrë me reformën zgjedhore dhe shumica e subjekteve politike nuk janë pajtuar asokohe që të kemi president të zgjedhur direkt, me kalimin e viteve, kanë ndryshuar pozicionet dhe sa e di unë vetëm Lëvizja Vetëvendosje është kundër të zgjidhet presidenti nga populli ndërsa subjektet tjera janë pro”, tha Alija për lajmi.net.Sipas analistit Alija, gjasat që të ndodh ndryshimi i Kushtetutës në këtë moment dhe të mundësohet zgjedhja e presidentit nga populli janë të vogla, për shkak të problemeve politike e diplomatike me të cilat po përballet Kosova.