Pas Hashim Thaçit, Ali Ahmeti ftohet në Gjykatën Speciale?


Burime jozyrtare thonë se kreu i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Gjykata Speciale.Sipas lajmeve që qarkullojnë në media, Ahmeti thirrjen e ka marr para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, por ka refuzuar të udhëtojë gjatë fushatës dhe ka dashur të shtyjë deri pas ditës së zgjedhjeve.Tani, kur zgjedhjet kanë kaluar, pritet që të niset për në Hagë ku do të intervistohet në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar.

Ahmeti, që njihet si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ftohet në cilësinë e dëshmitarit, por nuk mund të konfirmohet nëse dëshmia e tij ka të bëjë me rastin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, apo jo.Eksponentët e BDI-së ndërkaq deri në këtë moment nuk janë përgjigjur për të vërtetuar informatat e arritura në redaksinë tonë.Ahmeti është pyetur për Gjykatën Speciale në një intervistë në televizionin publik të Kosovës ditë më parë. Ka deklaruar se këto akuza që po vijnë – jo vetëm nga kjo gjykatë, por edhe të tjerat para saj – po u rrinë shqiptarëve si “gurë mbi qafë”.