Osmani: Bideni i njeh vuajtjet tona shumë mirë


Kosova pret që raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përmirësohen me zgjedhjen e Joe Bidenit, pasi dekada të përkrahjes kyçe amerikane u vunë në dyshim nën administratën Trump, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Financial Times”.“Të gjithë e dinë se presidenti i zgjedhur Biden nuk është mik i zakonshëm i Kosovës. Ai i di vuajtjet tona shumë mirë”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se Bideni e di të vërtetën për rastin e Kosovës dhe se Serbia kishte kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit në territorin e Kosovës.Si senator i SHBA-së, Bideni ishte zë i fuqishëm i intervenimit amerikan në luftën në Kosovë.

Në këtë intervistë, Osmani ka thënë po ashtu se marrëveshjet e shtatorit, të arritura në Washington, me Serbinë, nuk duhet të nisin të implementohen “pa i parë qëndrimet e administratës së re në ato pika”.