Merkel ia ka bërë të qartë Vuçiçit, çështja e Kosovës është e përfunduar dhe pik


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se kancelarja gjermane Angela Merkel gjithmonë ka qenë korrekte me Serbinë. Megjithatë, siç e konfirmon edhe Vuçiq, ajo ia ka bërë të qartë se çështja e Kosovës tanimë është e përfunduar.“Ajo nuk u fsheh kurrë. Ajo tha se për të, Kosova është çështje e përfunduar dhe e tha atë drejtpërdrejt”.

Gjithsesi, siç ka thënë më tej Vuçiq, Angela Merkel ndihmoi Serbinë kur parandaloi një konflikt të panevojshëm midis Serbisë dhe Kroacisë në vitin 2015. “Pastaj, për herë të parë, ajo qartësisht dhe me zë të lartë u rreshtua në anën e serbëve dhe tha se kroatët kishin gabim”, citohet të ketë thënë Vuçiq për televizionin Happy TV në Serbi.Ai ka folur edhe rreth marrëveshjeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne kemi marrë garanci se gjithçka e nënshkruar në Uashington do të mbetet në fuqi. Është e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie të mira me Amerikën. Ata thanë se gjithçka do të respektohej. Para bisedës, kam biseduar me të gjithë aleatët tanë se nuk do të ketë surpriza për çështjen e Kosovës, sepse nëse ka, ne nuk do të nënshkruajmë asgjë. Unë e informova presidentin (Vladimir) Putin menjëherë pas nënshkrimit për gjithçka, siç bëra edhe me zyrtarët evropianë”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.