Kurti tregon tri arsyet pse ai e sheh shqetësues takimin më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes disa postimeve në gjuhën angleze në Twitter ka thënë se njoftimi i emisarit të presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell që më 2 shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të SHBA-së, do të ketë një takim bisedimesh në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë është shqetësues.

Dhe për këtë, Kurti ka treguar se pse mendon ashtu.“Ideja e ‘shkëmbimit të territorit’ u mohua në mënyrë të vazhdueshme, por u vërtetua se ishte e vërtetë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili tha se ideja erdhi nga të dy presidentët (Thaci & Vuçiq). Kjo e dëmtoi besimin në proces”, ka shkruar Kurti.Veç kësaj, sipas ish-kryeministrit Kurti, e dyta është mungesa e njohurive për këtë çështje.

“Kosova është një vend i pavarur dhe sovran i cili nuk është as në konflikt për të pasur nevojë për një marrëveshje paqeje, as nuk ka një status të pazgjidhur që kërkon negociata. Këto janë pretendime të rreme”.Dhe e treta, ka thënë Kurti, është koha dhe përkushtimi.“Një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, pra një proces i gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor është e qartë se kjo nuk ka të bëjë me përmbajtjen e marrëveshjes, por nënshkrimin në fund të saj”.