Keqpërdorime Të Subvencioneve Dhe Punësime Pa Kriter Në Postën E Kosovës


Nga 720 mijë euro që Posta e Kosovës i kishte marrë vitin e kaluar si subvencion nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për shtyrjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, 320 mijë i ka shpenzuar për destinime të tjera. Shkaku i kësaj mospagese, një muaj më parë ATK-ja kishte bllokuar llogaritë bankare Postës, por të cilat u liruan pas intervenimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përkatësisht ish-MZHE-ja.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Postën e Kosovës janë ngritur dyshime për shpenzim jo të drejtë të këtyre mjeteve nga vetë ndërmarrja dhe mosarsyetimin e destinimit të mjeteve të mbetura. Sipas ZKA-së, në bazë të vendimit të MZHE-së, Posta obligohet që këto mjete t’i shpenzojë për shlyerjen e obligimeve ndaj ATK-së dhe se i kërkohet që të bëjë një raport me dëshmi bankare mbi shfrytëzimin e mjeteve financiare sipas vendimit.