“Ja kurthi i Thaçit dhe Hysenit”, paralajmërohet një skenar i errët për Kosovën


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme e ka emëruar si koordinator të dialogut me Serbinë, ish-ministrin e Jashtëm dhe të Brendshëm, Skënder Hysenin.“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, sot kam emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, ka shkruar Hoti në njoftimin e tij.

E në mbështetje të Hysenit ka dalë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.“E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërshtetëror. Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike. Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, shkroi Thaçi në faqen e tij në facebook.

Por emërimi i Hyesenit në pozitën e koordinatorit të dialogut me Serbinë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publikë.Madje, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi e quan këtë lajm të keq për Kosovën.“Që në fillim dua të them se ky është një lajm i keq për Kosovën. Skënder Hyseni në debatin për ndryshimin e kufijve gjithnjë është pozicionuar në heshtje dhe jo në heshtje pro Hashim Thaçit. Ai ka një lidhje specifike me ish-shefin e tij, sot president i vendit, lidhje të cilën e konsideroj të dyshimtë, sepse mesa duket bazohet te kompromiset ndaj njëri-tjetrit gjatë kohës kur zoti Thaçi ishte shef i ekzekutivit dhe zoti Hyseni anëtar i kabinetit të tij. Por ka edhe arsye tjera, të cilat të bëjnë të dyshosh te koordinatori i ri dhe të besosh se ai është pjesë e lojës politike Vuçiç – Rama – Thaçi”, thotë Bytyçi për “Bota Sot”.

Sipas tij, Skënder Hyseni ka një bashkëpunim të ngushtë me Hashim Thaçin.“Këto ndjesi rrjedhin nga bashkëpunimi i ngushtë i Skënder Hysenit me Hashim Thaçit në rastin e koordinimit midis tyre për të nënshkruar shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës në Uashington më 27 qershor të këtij viti. Hyseni ishte partizan dhe militant i atij projekti, edhe pse përvoja e tij në krye të diplomacisë së Kosovës i lejonte që të dinte se cilat do të ishin pasojat e një zgjidhjeje të tillë. Ndërkaq një deklaratë e sotme e presidentit të izoluar të Kosovës na bën me dije se ai është entuziast për emërimin e Skënder Hysenit në atë funksion. Ai shkruan se “z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike”! Mjafton kjo fjali dhe të kuptosh se presidenti përmes vartësit të tij të dikurshëm kërkon të arrijë objektivin për implementimin e projektit serb në Kosovë”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi ka treguar edhe cili është kurthi i Hashim Thaçit dhe Skënder Hysenit.“Thirrja për marrëveshje përfundimtare dhe aliibia se “nuk diskutohet për çështje teknike”, është kurthi propagandistik i Thaçit dhe Hysenit. Kjo dëshmon faktin se Thaçi dhe Rama duan ta çojnë përpara projektin e ndarjes së Kosovës, përfundim ky, në të cilin vinte para pak ditësh edhe Sonja Boserko, kur analizonte vizitën e ministrit në detyrë të Jashtëm të Shqipërisë në Bujanovc”.Bytyçi shton se emërimi i Hysenit erdhi si pasojë e sulmeve dhe presioneve të Hashim Thaçit ndaj kryeministrit, Avdullah Hoti.

“Ndërkaq duhet besuar se Abvdullah Hoti e emëroi zotin Hyseni si koordinator me qëllim që t’i ofronte Thaçit dorashkën e pajtimit midis tyre. Thaçi dialogun e nisur në Bruksel jo vetëm nuk e përshëndeti, por me zëdhënësit e tij në presidencë e kritikoi dhe e sulmoi ashpër. Duket se sulmi i tij kundër kryeministrit i shërbeu si mjet presioni që ky i fundit të realizojë një nga kërkesat e presidentit, që t’i japë rol kryesor Skënder Hysenit në këtë dialog.

Kjo lidhet me intrigat e presidentit dhe jo me përvojën e ish-ministrit të Jashtëm, Hyseni, i cili në deklaratën e Thaçit merr vlerësimet më të larta për “kontribute në 30 vite për shtetësinë e Kosovës”. Kishte llogaritur edhe kohën kur Hyseni shërbente si përkthyes I presidentit historic, Rugova”, shprehet profesor Bytyçi.Sipas tij, me emërimin e Skënder Hysenit si koordinator i dialogut dhe me përgatitjen e draft-marrëveshjes me Serbinë, presidenti Thaçi garantoi trashëgiminë e tij në këtë proces të nisur prej tij, ndërkohë që kryeministri Hoti u largua de facto nga drejtimi I procesit.

“Ka qenë një kohë kur Edita Tahiri ishte caktuar për koordinnimin e bisedimeve, por ajo ishte plotësisht nën kontrollin e Thaçit. Tani Skënder Hyseni nuk do të jetë nën kontrollin e kryeministrit Hoti. Edhe sikur Thaçi të largohej nga posti i presidentit, që duhet ta bëjë sa më shpejt, përsëri ai do ta drejtojë dialogun me Serbinë përmes Skënder Hysenit. Ky fakt përbën rrezik potencial dhe real për Kosovën, për shtetësinë dhe territorin e saj.

Askush nuk e ka dëgjuar Skënder Hysenin që të jetë deklaruar kundër projekteve serbe për ndarjen e Kosovës, për shkëmbimin e territoreve, kundër korrigjimit të kufijve apo delimitimit të tyre me Serbinë. Kurrë, asnjëherë nuk kanë dëgjuar qytetarët e Kosovës ndonjë pozicion anti-Thaçi të koordinatorit të ri të dialogut Kosovë – Serbi. Ky është një tregues i mjaftueshëm për të kuptuar se Skënder Hyseni nuk do të jetë koordinator I Kosovës, por do të jetë koordinator I Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në dialogun Kosovë-Serbi”.

“Por është e panjohur se në çfarë pozicioni gjendet kryeministri Hoti! Ai duhet të dëshmojë se vërtet qëndron në kry të dialogut dhe se nuk lejon që ëndërra e Serbisë së Madhe të realizohet në Kosovë. Ndryshe do hyjë në histori si një kryeministër jo vetëm i dështuar, por edhe si bashkëpunëtor me armiqtë e Kosovës, kundër Kosovës!”, përfundon për “Bota Sot”, profesori i njohur ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.