Hoti premton se do të jetë transparent për shfrytëzimin e fondeve të rimëkëmbjes ekonomike


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë sot në debatin e organizuar nga instituti Riinvest, me temë “Bashkëjetesa me Covid 19, tri shtyllat e rimëkëmbjes”, në të cilin të pranishëm ishin përfaqësuesit e institucioneve, të OJQ-ve, të odave ekonomike dhe të bizneseve të vendit.Kryeministri Hoti foli për dy tema aktuale, menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe programin e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike.Në vijim, po japim disa nga thekset kryesore të fjalës së kryeministrit Hoti:

Luftimi i pandemisë për ne mbetet prioritet kryesor dhe duket se do të jetë prioritet i vitit e ndoshta edhe i pjesës së parë të vitit të ardhshëm duke i parë trendet globale pra se si janë parashikimet për këtë pandemi. Me gjasë po fillon një valë e dytë e pandemisë. Pritjet kanë qenë që në vjeshtë të fillojë kjo valë, por po duket se është shumë më herët. Vlerësimet e ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë janë se masat kufizuese që janë ndërmarrë në Kosovë, të mbylljes komplete të shoqërisë dhe të ekonomisë, po edhe në vende të tjera, e kanë zvogëluar në mënyrë administrative, artificiale përhapjen e virusit dhe sapo kemi filluar ta hapim ekonominë, edhe ne, edhe në vendet e tjera në regjion dhe në Evropë, ka filluar prapë të përhapet.

v
Plani ynë për luftimin e pandemisë konsiston në disa shtylla kryesore; e para, ne po bëhemi gati që të ndërtojmë kapacitete shumë më të mëdha për teste, si virologjike, ashtu edhe serologjike, siç e quajnë profesionistët shëndetësorë. Unë e lexova me kujdes raportin mbrëmë dhe pashë statistikat që na krahasojnë neve me vendet e tjera në regjion. Pastaj, decentralizimin e mënyrës së testimit, mandej krijimin e një strukture qendrore të mbikëqyrjes së të dhënave në kohë reale sa i përket numrit të të prekurve, kapacitetet regjionale për të mbikëqyrë zhvillimin e pandemisë dhe monitorimin e saj dhe duke ndërtuar një sistem që po e quajmë inteligjencë epidemike për rastet e prekura, forcimin e rrjetëzimit të strukturave operative dhe të profesionistëve në terren dhe çështje të tjera që janë më shumë administrative. Ky ka qenë plani ynë i miratuar në programin qeverisës sa i përket menaxhimit të pandemisë.

Çka kemi bërë deri tash sa i përket realizimit të këtij plani? Na është dashur të marrim disa vendime për kufizim të aktivitetit ekonomik në disa sektorë, në veçanti në gastronomi. Për sa i përket krijimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore, e kemi centralizuar mënyrën se si po i menaxhojmë këto kapacitete, kemi hyrë në proces të riorganizimit të plotë të klinikave në kuadër të shërbimit spitalor duke i kthyer këto klinika maksimalisht në funksion të ofrimit të shërbimeve të personave të prekur me Covid 19.Kemi krijuar kapacitete shtesë në regjione, nëpër spitale regjionale; i kemi dhënë autorizimet e nevojshme Ministrisë së Shëndetësisë që edhe spitaleve private t’u kërkojë që të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre nëse numri i të infektuarve me Covid rritet.

Sa u përket resurseve humane, gjithashtu, kemi riorganizuar komplet personelin shëndetësor për ta vënë në funksion të menaxhimit të situatës. Kemi autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që të mobilizojë stafin shëndetësor në nivel vendi, edhe stafin shëndetësor, i cili nuk është fare i punësuar. Kemi filluar të çojmë në maksimum kapacitet testuese ekzistuese që i kemi dhe brenda ditës gati mbërrijnë 500 teste, që nuk janë të mjaftueshme, sigurisht; kemi filluar procedura të shpejta për të blerë edhe shtatë aparate të tjera testuese për gjashtë regjione, plus shtim të kapaciteteve në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike këtu në Prishtinë.

Është nënshkruar udhëzimi administrativ për t’iu lejuar spitaleve private, që në përputhje me procedurat ligjore dhe procedurat e tjera të kryejnë edhe ato testime dhe kemi ndërtuar një protokoll të qartë se kush mund të testojë dhe kush mund ta shfrytëzojë shërbimin e testimit, për kodet që janë në përputhje me protokollet që i ka nxjerrë Komisioni Evropian dhe OBSH-ja.

Shpejt do të ndërtojmë një grup ose koalicion me organizatat ndërkombëtare dhe me organizatat e vendit për të përcjellë vazhdimisht punën e qeverisë sa i përket fazës së rimëkëmbjes ekonomike, për t’u siguruar që këto mjete prej 1.2 miliard eurosh të shkojnë në vendin e duhur dhe të prodhojnë efekte maksimale.Është me shumë interes rekomandimi për nevojën që ne të rritim shpenzimet për shëndetësi si përqindje e GDP-së. Tash vërtet janë të ulëta, megjithatë unë kam përshtypjen që nuk janë të përfshira të gjitha shpenzimet që duhen për shëndetësi.

Ndoshta për shkak të situatës që na është krijuar nga pandemia, unë jam i sigurt që nga viti i ardhshëm e tutje do të ndërrojë në mënyrë strukturore qasja jonë karshi shëndetësisë. Tanimë jemi duke punuar, duke krijuar metoda të institucioneve shëndetësore të shpërndara në të gjithë vendin, prej mjekut familjar për t’u siguruar që çdo familje nuk e ka mjekun më larg se 15 minuta nga vendbanimi i tij dhe në veçanti për të fuqizuar kapacitetet diagnostikuese të institucioneve shëndetësore.

Jam i sigurt që në buxhetin e vitit të ardhshëm, nuk e di a mund të mbërrijmë 6 për qind të GDP-së, por do ta rrisim dukshëm nga ai që është tash.Tek pakoja për rimëkëmbje ekonomike, ne jemi duke punuar që të përcaktojmë afatin kohor për secilën prej masave të rimëkëmbjes ekonomike. Ministria e Financave është duke e koordinuar një grup punues brenda qeverisë me disa ministra dhe me disa institucione të tjera duke i detajuar krejt masat e pakos.

Sa u përket kostove se si do ta shpërndajmë këtë fondin prej 385 milionë eurove dhe afatin kohor të realizimit të atyre masave edhe mekanizmave për realizim, sepse dëshirojmë që të sigurojmë transparencë maksimale në shfrytëzimin e këtyre fondeve, sepse besojmë se nëpërmjet transparencës ne mund të sigurojmë që mjetet shkojnë në vendin e duhur, duke i përfshirë në veçanti shoqatat, odat ekonomike në komisionet e ndryshme vlerësuese me rastin e shpërndarjes së fondeve.

Ne tashmë kemi filluar dhe besoj se brenda dy javësh do ta mbajmë një video-konferencë me Rrjetin e bizneseve në diasporë; disa janë funksionale, në disa prej vendeve, në disa vende pak kanë pauzuar, do ta aktivizojmë plotësisht Rrjetin e bizneseve që është themeluar para tri-katër vjetësh nga qeveritë e mëparshme.