Fotografia simbolike e Albin Kurtit, i bënë bashkë dy ushtritë


Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka qëndruar në Durrës dhe Thumanë, ku edhe ka parë nga afër të prekurit pas tërmetit shkatërrues.

“Katastrofa natyrore e ka goditur Shqipërinë, dhe këto ditë nuk kemi mundur të festojmë përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, as 75-vjetorin e çlirimit të Republikës nga nazi-fashizmi. Tërmetet e forta dinë të gjunjëzojnë çdo shoqëri, janë të paparashikueshëm prej shkencës, e janë veçanërisht vdekjeprurës në vendet e varfra, me infrastrukturë të pazhvilluar, apo në vendet ku ligji e standardet ndërtimore nuk zbatohen siç duhet”, ka thënë Kurti.

“E megjithatë, Shqipëria që vizituam në mëngjesin e sotmë, edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte e gjunjëzuar. Populli i Shqipërisë e ai i Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës e diasporës të gjithë janë bërë bashkë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën prej tërmetit, por edhe atyre qindra personave të lënduar e të traumatizuar, e shumë të tjerëve që janë dëmtuar ekonomikisht, një pjesë e mirë duke mbetur edhe të pastrehë”.Atje Kurti ka takuar edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.Madje ka thënë se forcimi i dy ushtrive do të duhej të ishte prioritet i qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.