Faqja amerikane del me parashikimin për dimrin në Kosovë dhe rajon


Faqja prestigjioze amerikane për parashikim të motit AccuWeather ka dhënë një parashikim preliminar për dimrin 2020/21 për EvropënMeteorologët e AccuWeather parashohin një dimër jo shumë të ftohtë, por me reshje dhe stuhi të herëpashershme të shiut/borës të shoqëruara me erëra. Këto reshje të shiu/bore në rajonin tonë mund të shkaktojnë edhe probleme dhe dëme infrastrukturore.

Është interesante parashikimi i AccuWeather për Rusinë dhe Siberinë ku shihet se parashihet një dimër i butë dhe “i nxehtë” dhe kjo është një indikator shumë i fortë se pa një acar të madh në Rusi dhe Siberi edhe tek ne gjasat për një acar të madh janë të vogla. AccuWeather nuk e parasheh këtë.

AccuWeather parasheh reshje të mëdha atmosferike në Itali, Gadishullin Ballkanik, Gadishullin Iberik, jugun e Francës, Turqi dhe në përgjithësi në Evropën juglindore. Këto reshje do të jenë në formë shiu, por edhe në formë të reshjeve të dendura të borës. Sipas kësaj që po shohim në parashikimin e tyre reshjet e dëborës nuk do të jenë shumë të qëndrueshme nëpër ultësira.

Sipas AccuWeather thatësira do të vazhdojë në veriun e Francës, perëndimin e Gjermanisë dhe në Rusi, kurse Britania e Madhe dhe Skandinavia presin një dimër tipik me stuhi të herëpashershme.AccuWeather për dimrin e kaluar ishte mjaft i saktë, por për verën që na la parashikimi i tyre ishte krejtësisht i pasaktë.