Çfarë do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset nga buxheti i rishikuar?


Me rishikimin e buxhetit të vitit 2020 janë mobilizuar mbi 600 milionë euro, prej tyre 232 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave tatimore dhe 385 milionë euro për zbatim të plotë të Pakos fiskale emergjente dhe të Pakos për rimëkëmbje ekonomike.
Këto mjete janë ndarë për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që janë shkaktuar nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Projektligji për rishikimin e buxhetit 2020 është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik dhe është proceduar në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.Mimoza Kusari-Lila, anëtare Komisioni për buxhet dhe transfere, tha për Radion Evropa e Lirë se projektligji për rishikim të buxhetit i ka dy javë në mes të dy leximeve – fillon me Komisionin funksional që është Komision për buxhet dhe transfere, dhe pastaj përcjellet në komisionet që janë në procedurë të rregullt, siç është ai për legjislacion.

“Besoj që së shpejti ky projektligj me amendamentet dhe plotësimet e deputetëve do të vjen në Komision”, tha Kusari – Lila.Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se në momentin kur do të miratohet buxheti i rishikuar, do të fillohet edhe me ndarjen e mjeteve për bizneset dhe qytetarët, ashtu siç është premtuar.Nga Pakoja emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, shton Bajrami deri më tani janë shpërndarë rreth 80 milionë euro.

Ndërkaq, pas miratimit të buxhetit të rishikuar thotë ministrja Bajrami, brenda tre – katër ditëve do të disbursohen tek qytetarët dhe bizneset edhe rreth 100 milionë euro të tjera.“Kemi një fond prej 385 milionë euro nga i cili do të përmbushen të gjitha obligimet të dala nga Pakoja fiskale emergjente, do të kryhen të gjitha pagesat për të gjithë aplikacionet e qytetarëve dhe bizneseve që janë pranuar nga komisionet përkatëse”.“Pastaj janë masat e rimëkëmbjes ekonomike që përfshijnë disa lloje të masave, siç janë qasja e lirë ebizneseve në financa, dyfishim i subvencioneve, subvencionim i kamatave, kapitalizmi i fondeve për garanci kreditore dhe masat të tjera të cilat do t’i mbulojnë ministri apo sektorë të caktuar”, tha Bajrami.