BIK-u merr vendim te rendesishme për parandalimin e COVID-19 nëpër Xhamit e Kosovës


Vendimet e BIK-ut për parandalimin e përhapjes së pandemisë “COVID-19”Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, me pikën e vetme të rendit të ditës, atë të ruajtjes së shëndetit publik në vend nga pandemia globale “COVID-19”. Duke pasur parasysh se rastet e infektimit me “COVID-19” janë duke u rritur në vend, në këtë mbledhje u morën disa vendime në të mirën e besimtarëve për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

Ndër vendimet e marra në këtë mbledhje janë pezullimi i aktiviteteve fetare në të gjitha xhamitë, sikurse janë ligjëratat e tribunat fetare, pezullimin e mësimbesimit dhe shkollës verore nëpër xhami, nëpër të gjitha xhamitë në vend nuk lejohen të falen më shumë se 50 persona, të bëhet shenjëzimi i vendeve se ku mund të falen besimtarët, u ndalohet imamëve të marrin pjesë në të pame dhe namazi i xhumasë të falët nga dy herë në xhamitë qendrore – varësisht nga nevoja.

Po ashtu, në këtë mbledhje u mor vendim që të gjithë besimtarët të mbajnë maskë gjatë faljeve të namazeve, të përdorin sexhadën e tyre personale, të përdorin dezinfektues para shkuarjes në xhami dhe personat mbi 65-vjeç dhe ata nën 16-vjeç të falen në shtëpi.
Në këtë mbledhje u tregua edhe njëherë përkushtimi i Bashkësisë Islame të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet shëndetësore, duke iu bërë ftesë që të mos nguten në vendime për të mbyllur objektet fetare, duke pasur parasysh se Bashkësia Islame ka marrë të gjitha hapat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.