Befason Xhavit Haliti: PDK është partia ma e mirë në Kosovë, Na e kena qu përpara Kosovën


Pas 13 vjetësh në pushtet Partia Demokratike e Kosovës ka kaluar në taborin opozitar.Përveç që PDK-ja nuk po e pranon që ka pësuar rënie, nuk po e pranon as fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit. Për PDK-në 2-3 deputetë nuk e përcaktojnë rënien ose shkëlqimin e ndonjë partie.Xhavit Haliti, ka treguar për “Zërin” disa nga arsyet që e kanë çuar PDK-në në opozitë pas kaq shumë vjetëve në pushtet.Haliti nuk e konsideron rënie rezultatin e PDK-së në zgjedhjet e fundit, as rezultatin e Vetëvendosjes nuk e sheh si fitore.

“Ka shumë arsye të cilat kanë ndikuar që PDK-ja të dalë në opozitë. Fillimisht fushata e madhe kundër PDK-së, e cila ka qenë krejtësisht e paargumentuar, ka ndikuar të krijohen raporte mosbesueshmërie në raport me Vetëvendosjen. E dyta, kjo parti e ka prekur nervin e atdhetarizmit për t’u bashkuar si komb dhe ka pasur mbështetje veçanërisht mbi bazën e kësaj politike. Këto arsye kanë ndikuar tek elektorati që të ndërrojnë ose ta votojnë Vetëvendosjen në një numër që nuk kisha thënë se ka fituar, por ka dalë e para”, tha Haliti.

Ai potencon se partitë para PDK-së kanë marrë vetëm nga dy-tre deputetë më shumë, rrotacion që është krejtësisht normal të ndodhë në demokraci. Sipas tij, PDK-ja do të veprojë si opozitë për ta kontrolluar çdo veprim të qeverisë së re.Më tutje Haliti deklaron se pritet të shihet qasja, të cilën do të ketë qeveria e re ndaj problemeve që ka Kosova dhe sidomos ndaj çështjes së dialogut, të cilën ai thotë se mund ta përmbyllë kënaqshëm nëse ka në fokus interesin e përgjithshëm të vendit.