Artisti nga Drenica që po synon rekordin e Guinness-it


Artisti nga Drenasi, Besart Gashi, ka njoftuar se sot do ta përfundojë imazhin më të madh në botë me kapëse të metalit. Ky portret i punuar me shumë mjeshtri e delikatesë ka dimensione: 4.39cm x 5.93cm pra, 26 m2.

Vepra gjigante është portreti i heroit Agim Ramadani, i cili pritet të finalizohet në orën 03:05, duke e lidhur këtë me datën e lindjes së heroit (03.05.2020). Gashi ka thënë se për këtë punim gjigant i është dashur të punojë dy muaj rresht, me shumë mund e sakrificë.

Këtë projekt e ka financuar Muhamet Ajrullahu. Artisti Besart Gashi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook” e ka falënderuar edhe familjen e heroit Agim Ramadani për respekt dhe mbështetje morale, si dhe mikun Dan Qarkaj për komunikimin me “Guinness World Records” dhe profesorët: Qamil Llapashtica, Avni Behluli, Gëzim Brestovci dhe Valdrin Bajrami.