Albin Kurti: VV është dyfishuar, i mundim sikur të gjitha partitë të bëhen bashkë


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Euronews Albania flet për zhvillimet më të fundit politike, që nga shkaku i prishjes së koalicionit me LDK-në dhe tek përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.Z. Kurti ka deklaruar se, që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, Vetëvendosje është dyfishuar. Këtu ai iu referua një sondazhi të fundit.“Sondazhi i fundit na nxjerr me 50.7% të votave, LDK me 17% dhe PDK me 12.4%. Kjo ka shkaktuar një panik të madh dhe i ka bërë të gjithë bashkë. Më 6 tetor kemi dalë të parët. Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja me ç’rast do t’i mundim edhe po u bënë bashkë që të gjithë”, deklaroi kryeministri në detyrë. “6 muaj e fundit VV është dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e tetori kur doli e para. Kjo ka ndikuar të që gjithë të bëhen bashkë kundër nesh që të ruajnë ato privilegjet që kanë pasur pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi kreu i VV-së.

Z. Kurti tha se ka pritur që qeveria e tij të mos ishte jetëgjatë duke iu referuar elementëve që kanë kapur shtetin në Kosovë dhe në kushte të tilla ka qenë i vetëdijshëm se do të përballej me shumë probleme përveç vështirësive të zakonshme. Duke folur për rrethanat që sollën prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së tij, Albin Kurti tha se, e gjitha ishte një plan dhe shkarkimi i ministrit të Brendshëm ishte gjetje shkaku.

Ai deklaroi se ministri i LDK-së kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në një kohë kur nuk kishte asnjë viktimë nga coronavirus dhe kjo synonte që t’i kalonin kompetenca ekzekutive Presidentit Thaçi dhe madje të tentohej dhe ndonjë incident me Serbinë për t’i rifutur në lojë planin për marrëveshje për shkëmbim territoresh.“Nëse nuk do të shkarkoja ish-ministrin do të bëja shkelje. Nuk bëra shkelje dhe e shkarkove. Besoj se nuk kam pasur rrugë tjetër dhe është një gjë që nuk jam penduar. Nuk ishte thjesht ai veprim sepse për një ministër nuk bie qeveri. Nuk ishte një ministër por ishte një plan.

Nuk kishte rrethana për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme”, deklaroi z. Kurti.\\“Është e vërtetë që nuk kam përvojë në qeverisje, por këtu në Kosovë i urrejnë shumë ata që kanë përvojë në qeverisje, për shkak të gjendjes së ekonomisë. Nuk është lavdërim të kesh përvojë në qeverisje, prandaj qytetarët më kanë votuar. Jam dhe kam qenë kryetar i subjektit më të madh politik në Kosovë. Ajo që nuk kishim përvojë ishte coroavirus që ia dolëm shumë mirë ta përballonim dhe ia dolëm që të bllokonim shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.”Duke folur për marrëdhëniet e tij me ish-zv.kryeministrin Avdullah Hoti, që tashmë është kandidati i LDK-së për t’u bërë kryeministër i qeverisë së re, kreu i VV-së tha se, ai punonte kundër qeverisë së tij dhe se e shkarkoi për shkak të ishte i vetmi që gjatë seancës për votimin e mocionit të mosbesimit që foli kundër qeverisë ku bënte pjesë.“Hoti sillej sikur të kishte një kovë me rërë dhe ta hidhte në rrotat e qeverisë.

Kam qenë korrekt me të kam bashkëpunuar sa më shumë që të mundej. Pas mocionit të besimit ishte i vetmi zyrtar i qeverisë që doli kundër qeverisë dhe ishte e pamundur që ta mbaja në qeveri ndaj dhe e lirova nga detyra. Ministrat e tjerë të LDK-së nuk e morën fjalën që të flasin kundër qeverisë ku bënin pjesë. Ishte i vetmi zv.kryeministër dhe nisi të funksionin si centrifugë e sulmeve të ndryshme”, theksoi kryeministri në detyrë i Kosovës.