Albin Kurti: Thaçi po përzihet në zgjedhjet e Amerikës


Ish-kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin se po përfshihet në zgjedhjet e SHBA.Kurti beson se kjo i bën dëm Kosovës pasi, sipas tij, në fushata mund të përfshihen krerë partish por jo edhe krerët institucional.Madje, Kurti ka përmendur edhe përkrahjen që Thaçi pati për Hillary Clinton kundër Donald Trump, ndërkohë që tani thotë se përkrah këtë të fundit kundër Joe Biden.

“Presidenti i Kosovës, Thaçi, u përzie në zgjedhjet amerikane të 2016, kundër Donald Trump-it, e tash po përzihet në zgjedhjet e 2020 kundër Joe Biden-it. Të dyja herët, ka vepruar gabim, dhe e ka dëmtuar Kosovën. Mund të përfshihen në fushata krerët e partive, që mbështesin partitë me ideologji të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk bën të përfshihen krerët institucionalë shtetërorë, sepse është kundër parimeve elementare të diplomacisë e demokracisë”, ka thënë Kurti.

Këto deklarata, Kurti i tha në një status në Facebook ku bëri të ditur se refuzon ftesën e shqiptarëve të Amerikës për t’u takuar krerët kosovarë diku në SHBA. Si arsye për refuzim, ndër të tjera, Kurti ka thënë se kjo mund të konsiderohej se politikanët kosovarë po përzihen në zgjedhjet amerikane.

“E si vërejtje shtesë, duke qenë se në ShBA ka filluar tashmë para-fushata elektorale, një takim i tillë i gjithë subjekteve politike të Kosovës do të mund të intepretohej si mbështetje gjithëpartiake në Kosovë, për një proces që ka mbështetje vetëm njëpartiake në ShBA”, ka thënë ish-kryeministri.