A po e humbet BE-ja Ballkanin?


Me „lodhjen nga zgjerimi“, BE po humbet mjaft nga influenca e saj në rajonin e Ballkanit. Aktorë të tjerë duan t‘i joshin këto vende, shkruan dpa. Por a mundet ta zëvendësojnë ata BE-në? Pyesni rininë, thotë një ekspert.


Viti 2019 nuk ishte një vit i mbarë për njerëzit në periferinë e Bashkimit Europian, në Europën Juglindore. Ndryshe nga sa premtoi, BE në samitin e tetorit nuk dha dritën jeshile për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa në një analizë për gjendjen në Ballkan me fillimin e këtij viti. Franca dhe vende të tjera dolën kundër tyre.

Rreziku i thyerjes së besimitNë Serbi dhe Malin e Zi, dy vende që i kanë çelur ndërkohë negociatat, janë forcuar tendencat autoritare të forcave qeverisëse. Presioni ndaj intelektualëve dhe mediave kritike është rritur. Gjendja në Shqipëri nuk është më e mirë, një vend ky jo shembull demokracie, shkruan dpa. Në nëntor Shqipëria u trondit nga një tërmet i rëndë me dhjetëra viktima. Por „Jo-ja” e bisedimeve të anëtarësimit ishte shumë e rëndë. Në Maqedoni kjo solli zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 12 Prill.

Në rajonin e Ballkanit mosçelja e negociatave shihet si thyerje e besimit, si shprehje kërcënuese e „lodhjes nga zgjerimi” në vendet bazë të BE. Në një kohë që BE kishte vendosur në samitin e saj në Selanik në vitin 2003, se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë perspektivën e anëtarësimit. Por deri më tani, kësaj ia ka dalë vetëm Kroacia, që u anëtarësua në vitin 2013. Për vendet e tjera të Ballkanit perspektiva po sfumohet në horizont, shkruan dpa, madje ato rrezikojnë ta humbasin atë, por a po rrezikon edhe vetë BE humbjen e Ballkanit?