​Kurti flet për zgjedhjet në Maqedoninë Veriore, ja kë e përkrah ai


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, tri ditë para mbajtjes së tyre, duke thënë se është përcaktuar që ta mbështesë Koalicionin e Aleancës së Ziadin Selës dhe Afrim Gashit.Në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, ish-kryeministri Kurti ka dalë në mbështetje të plotë të këtyre dy subjekteve politike, ndërsa ka kritikuar partitë tjera, të cilat i ka quajtur të vjetruara.

“Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë”, ka shkruar Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit:Të dashur miq,Zonja e zotërinj, bashkëkombësit e mi shqiptarë, që jetoni si autoktonë në tokën tuaj, në Republikën e Maqedonisë së Veriut,Po ju drejtohem me këtë video, sepse nuk munda t´ju vizitoj në Shkup, siç e pata në plan, për shkak të masave kufizuese që e vështirësojnë kalimin e kufirit gjatë pandemisë.Nuk mund të takohemi fizikisht, por megjithatë mund të komunikojmë, e të vazhdojmë të jemi pranë njëri-tjetrit, ashtu siç duam, ashtu siç duhet.Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonjëri që nuk e di mirë historinë e shqiptarëve, mund edhe të mendojë se janë periferi, provincë e shqiptarisë.

Por, ata kanë qenë në ballë të të gjitha proceseve tona kombëtare. Për lirinë e Kosovës kanë dhënë jetën shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, e pastaj shumë të tjerë luftuan edhe në Maqedoni, bashkë me të rinj nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare, për një ëndërr e cila sot duket sikur është harruar. Mirëpo, ne nuk i harrojmë dëshmorët tanë. As idealet e tyre. Idealet nuk plaken kurrë, idealeve nuk u ikën koha.

Ne që këndojmë këngën e Hajredin Pashës, e dimë historinë e Dervish Carës e të kryengritjes së tij të 1844, e cila i priu me më shumë se tre dekada Lidhjes së Prizrenit. Ata kërkonin autonominë e shqiptarëve në perandori, njësoj siç u ishte dhënë autonomia serbëve dikur. E pra, ky pararendës i pavarësisë, dhe lëvizja e tij, nisi nga rrethinat e Tetovës dhe Dibrës, dhe organizoi anembanë shqiptarët, nga Shkupi e deri në Shkodër.

Mandej erdh Lidhja e Prizrenit. E drejtues i mbledhjes në 18 qershor 1878, ishte Iljaz pashë Çoku, apo Iljaz pashë Dibra. Pastaj, mes shumë pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit që ishin nga Maqedonia e sotme veriore, ishin aty edhe sheh Mustafë Tetova e Jashar bej Shkupi e Hasan pashë Tetova. Pikërisht djali i këtij të fundit, Mehmet pashë Deralla, u angazhua si ndihmës dhe këshilltar i Sylejman Vokshit, dhe luftoi në të gjitha betejat e Lidhjes së Prizrenit e të Besëlidhjes së Pejës. Mehmet Deralla më pas u bë edhe ministri i parë i mbrojtjes, në qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë.

Mandej kemi rilindasit e arsimtarët e parë të shqipes, Said Najdeni, apo hoxhë Voka, siç e njohin, që punoi me rilindasit e mërgatës dhe përhapi me shkolla e me shkrime mësimin e shqipes. Po ashtu Jashar Erebara, nga Shkupi, Ibrahim Temo nga Struga, që ndihmoi botimet shqip në Stamboll, Dervish Hima nga Struga, dhe poeti shqiptar ortodoks i Rilindjes Kombëtare nga Reka e Epërme, Josif Bagëri. Të mos harrojmë edhe kontributin e shquar të familjes Qiriazi nga Manastiri, Gjerasimi e Gjergji, mësues pionierë të shqipes, por sidomos motrat e tyre, ndoshta gratë më të shquara të Rilindjes sonë: Parashqevi Qiriazi, veprimtare, mësuese e popullit, pjesëmarrëse në Kongresin e Alfabetit në Manastir, themeluese e shoqatës së parë të grave shqiptare, autore e programit arsimor të qeverisë së Ismail Qemalit, dhe diçka e rrallë, e vetmja delegate grua, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Njashtu edhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ndër nismëtaret e para të arsimit të grave, pjesëmarrëse në kongreset e Manastirit e të Elbasanit, bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, e patriote deri në fund.

Shumë prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë, që në fakt ishte projekti për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve kudo, vinin nga Maqedonia e Veriut. Mustafa Baruti, Nuri Sojliu, Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, që e përmendëm, Zyhdi Ohri, e shumë të tjerë iu bashkangjitën më vonë, për shkak se nuk arritën dot në kohë në 28 nëntor.

Ja edhe një kuriozitet tjetër, kryetari i parë i bashkësisë islame të Shqipërisë, menjëherë pas Pavarësisë, ishte Haxhi Vehbi Dibra. Në Vlorë ai ka thënë se «kristianët dhe myslimanët janë vëllezër shqiptarë të pandarë», duke i vënë vulën realitetit tonë kombëtar, të bashkëpunimit mes besimtarëve të feve të ndryshme, vlerë që e duam aq shumë e që mburremi me të.